RSS FeedRSS FeedYouTubeYouTubeTwitterTwitterFacebook GroupFacebook Group
You are here: The Platypus Affiliated Society/Një histori e shkurtër e së Majtës

Një histori e shkurtër e së Majtës

May 5, 2014
by editor

Marksi dhe 1848-ta

Marksi nuk ishte autori, por pjesëmarrës i shkëlqyer kritik i së majtës në shekullin XIX. Socializmi dhe komunizmi nuk ishin shpikur nga Marksi, Engelsi dhe bashkëpunëtorët (e kundërshtarët) e tyre të së Majtës, por lindën nga kontradiktat e vetë shoqërisë moderne, siç ishin shprehur në Revolucionin Francez të vitit 1789 dhe në lëvizjen moderne të punëtorëve që lindi me Revolucionin Industrial në fillim të shekullit XIX. Marksi me mendjemprehtësi të madhe e kuptoi se vetë e Majta është simptomë e kapitalizmit, që nuk e kundërshton atë nga jashtë, por nga brenda, në mënyrë imanente. Megjithatë, Marksi e mbështeti të Majtën, lëvizjen moderne socialiste të punëtorëve, dhe u mundua ta shtynte përpara më tej dhe të nxisë njohjen se si ajo mund të shkojë përtej vetvetes.

Mendimi i Marksit ka origjinën në kritikën imanente të politikës emancipuese pas vitit 1789, në socializmin francez, filozofinë idealiste gjermane dhe ekonominë politike britaneze. Deri më 1848, kohën e Manifestit Komunist të Marksit dhe Engelsit dhe kryengritjeve revolucionare në Francë, Gjermani, dhe pjesë të tjera të Evropës (të shkaktuara nga depresioni ekonomik global i vitit 1840), politikat e barazisë sociale dhe të demokracisë ishin bërë më të komplikuara dhe më të thella sesa që do të mund të kuptohej ose të tejkalohej nga një kritike qytetëruese rusoiane e shoqërisë moderne (slogani i Prudonit “prona është vjedhje”). Më 1848 demokracia radikale, në forma revolte nga “shtresa e tretë” e “borgjezisë” (urbane) (përfshirë punëtorët) pësoi dështim: kapitali kërcënohej nga demokracia sociale sepse e shtyu përtej formave të tij të riprodhimit shoqëror. Pas revolucionit të dështuar në 1848 u shfaqën forma të theksuara të politikave “masive” dhe të shtetit kombëtar parlamentar-bonapartist modern në të cilin ende jetojmë sot.

Pas krizës të së Majtës pas vitit 1848, Marksi përdori konceptin e kritikës dialektike të kapitalizmit, duke e trajtuar atë si një formë emancipimi qe (ri)përbën një formë të veçantë dominimi mbi shoqërinë: domosdoshmëria për të prodhuar “mbi-vlerë” dhe në këtë mënyrë të kapitalizojë nga fuqia punëtore në forma të ndërmjetësuara dhe llogaritura me kohën e punës. Kapitali u bë një formë e pasurisë e matshme si investim i punës shoqërore, një formë e ruajtjes dhe investimit të vlerës në të ardhmen, por ku fuqia “e vdekur” punëtore dominon fuqinë e gjallë.

Pas 1917-tës Lukács riktheu të kuptuarit e Marksit mbi identitetin dhe jo-identitetin kontradiktor por përbërës të eksploatimit dhe dominimit shoqëror nën kapitalizëm, që i jepin jetë formave të pakënaqësisë dhe agjencisë—ideologjive, edhe në të “Majtën”—që riprodhojnë dhe përjetësojnë një shoqëri të dominuar nga kapitali, një kontradiktë e qenies shoqërore dhe vetëdijes për subjektet e formës së mallrave.

Për Marksin vetë kapitalizmi krijon bazën dhe provokon potencial shoqëror emancipues, të cilin gjithashtu e kufizon. Si formë shoqërore, kapitali synon kapërcimin e vetvetes.

Lenini, Luksemburgu dhe 1917-ta

Në fillim të shekullit XX brezi i ri i radikalëve në Demokracinë Sociale të Internacionales së Dytë e pranoi pa hamendje karakterin revolucionar të paraardhësve të tyre marksistë (Kautsky, Plekhanov), por u përballën me vështirësi me problemet në lëvizjen që ata e mbronin me entuziazëm. Bartësit standardë të mandatit revolucionar marksist e gjetën vetën tmerrësisht të izoluar brenda së Majtës me shpërthimin e Luftës se Parë Botërore më 1914. Rusia u tregua se ishte “lidhja më e dobët” në sistemin botëror të kapitalizmit, duke u bërë kështu epiqendra e luftës politike revolucionare, por me rezultatin paradoksal të asaj që Lenini e quajti një “shtet të deformuar punëtorësh” që administronte një “kapitalizëm shtetëror” në kufi-periferi të kapitalit global, që tepër shpejt u “rehabilitua” nga kriza e luftës. Luksemburgu dhe përkrahësit e saj në Gjermani mbështetën bolshevikët, por si marksistë mbetën kritikë, duke e ditur se Tetori i 1917-tës avancoi domosdoshmërinë e revolucionit global, duke paraqitur një “problem” në Rusi që nuk mund të “zgjidhej” atje. Në përpjekje për t’u qëndruar besnik parimeve të marksizmit, në fakt Lenini, Luksemburgu dhe grupi i tyre transformuan lëvizjen marksiste, por në mënyra shumë të papeshuar, saqë me dështimin përfundimtar dhe tradhtinë e revolucionit antikapitalist të viteve 1917-19, përgatitën terrenin për degjenerimin e mëvonshëm të së Majtës—dhe të vetëdijes së saj për ta kuptuar vetveten.

Trocki

Kur Stalini shpalli politikën e “socializmit në një vend”, ai në këtë mënyrë nuk përmbysi në mënyrë të prerë një perspektive revolucionare marksiste, por akomodoi rrethanat e Revolucionit Rus më 1924. Edhe revolucionarët më pak cinikë se Stalini dhe bolshevikët që ai i manipuloi dhe vrau nuk kishin pranuar se vetëm politikat e rrezikshme të komunizmit botëror kishin shpresë për të ruajtur, e aq më pak për të çuar më tej fitoret modeste të 1917-tës. Në mungesë të kësaj, urgjenca e “ruajtjes së revolucionit” kërkonte sakrifica edhe më të larta, që ishte një katastrofë e pashoqe e njerëzimit.

Adorno

Shpërbërja e marksizmit revolucionar rreth 1930-tës paraqiti një problem të mprehtë për vetëdijen kritike në të Majtën. Kriza radikale e luftës dhe revolucionit shoqëror rreth viteve 1914-19 prodhoi reaksionin e saj plotësues, një lëvizje infektuese fashizmi dhe një rifillim të Luftës Botërore që deri më 1945 kishte shkatërruar të Majtën. Pas kundërrevolucionit dhe reaksionit pas vitit 1919 lindi struktura e “karakterit autoritar” të subjektivitetit shoqëror dhe politik që u shpreh në mënyrë të gjerë, jo vetëm në tubimet e këmishave bojëkafe e të zeza, por edhe në Frontin Popullor dhe më vonë, në “nacionalizmin” në “botën e tretë.” “Personaliteti autoritar,” me narcizmin dhe sadomazokizmin e tij karakteristik të lënduar, zbuloi praninë e një frikë regresive nga liria.

“Marksizmi” u bë pjesë e ideologjisë së realitetit reaksionar shoqëror të kapitalizmit të “avancuar”, por i cili megjithatë, edhe pse i shtypur dhe i shkrumbuar nga historia, bënte me shenjë përtej kushteve të ideologjisë “borgjeze”, boshllëkun e të cilit tani e kishte zënë. Në periudhën e kundërrevolucionit triumfues që karakterizoi shekullin XX, pyetja dhe problemi i vetëdijes kritike shoqërore u rishfaq. Rehabilitimi i qëllimit kritik të teorisë dhe praktikës marksiste u tregua si një çështje e paqartë deri në vitet e 60-ta, por ajo ndoqi pandarë të Majtën në çorientimin socio-politik dhe errësimin e detyrave dhe projektit të emancipimit, që është trashëgimia më e thellë e revolucionit të humbur e të dështuar.

Nga 1968-ta dhe 1989-ta deri sot

Deri në vitet e 60-ta e “Majta” gjithnjë e më shumë u mohonte të drejtat dhe përgjegjësitë e popullsive të vendosura në mënyrë strategjike në zemër të kapitalit global për të ndryshuar rrjedhën e historisë. Siç e kishte shprehur me mprehtësi Susan Sontag më 1967, “raca e bardhë është kanceri i historisë njerëzore.” U përqafua një shpresë pasive e hyrjes në skenën historike të “subalternëve”, pa konsideratë kritike për format aktuale politike që kjo duhet të marrë. Siç shprehej Adorno me fillimin e dekolonizimit: “Primitivët nuk janë më fisnikë” (1944). Kjo braktisje e përgjegjësisë mori forma të ndryshme të vetëmohimit—duke përfshirë entuziazmin racist për “diferenca kulturore”—të boshatisur nga politika.

E majta revolucionare, tashmë në gjendje të thellë dekompozimi pas vitit 1945, mori goditjen e fundit fatale duke braktisur rolin e ndërgjegjes kritike shoqërore pas së Majtës “së Re.” Zhgënjimi i së Majtës pas viteve të 60-ta hodhi një hije të gjatë mbi vitet e 70-80-ta dhe arriti kulmin më 1989-1992 me shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik dhe “fundin e historisë”— fundin e çdo projekti (“grandioz”) emancipues të transformimit shoqëror. “E majta e Re” fitoi botën që meritonte; përpjekjet për të ruajtur antimarksizmin e saj pseudoradikal janë përpjekje për të ringjallur një fantazmë.

Vëzhgimi i Adornos se “një jetë e gabuar nuk mund të jetohet mbarë” (1944) është marrë gabimisht si problem ekzistencial e jo politik. Por problemi i praktikës nuk është problem etik, por ka të bëjë me hapjen e mundësive aktuale shoqërore e politike për emancipim.

Një botë e emancipuar ku liria e secilit do të ishte parakusht për lirinë e të gjithëve, e arritur përmes solidaritet shoqëror ku vepron parimi i Marksit “secili sipas aftësive, secilit sipas nevojave”, vizioni i të cilit kishte motivuar të Majtën historike, duket mezi i imagjinueshëm sot.

Por, ashtu siç është mjaft e mundshme të jesh i shtypur haptazi pa i kuptuar arsyet për shtypjen-çka është kuptimi i “tjetërsimit”- potenciali i papërmbushur ende mund të jetë i pranishëm pavarësisht mungesës së vetëdijes për të: një joidentitet i subjektit dhe objektit. Mundësia e vetëdijes kritike të emancipimit mbijeton kolapsin e saj të “dukshëm,” pavarësisht se sa e rëndon të pavetëdijshmen tonë sot. Roli i vetëdijes është kyç për çdo mundësi të emancipimit shoqëror.

Korrik, 2006

Leave your comment

Message(required)
Your Name(required)
E-Mail(required)
Website