RSS FeedRSS FeedYouTubeYouTubeTwitterTwitterFacebook GroupFacebook Group
You are here: The Platypus Affiliated Society/Qëllimi ynë

Qëllimi ynë

May 5, 2014
by editor

Platypus (shqip: Sqepori) është një projekt për vetëkritikë, vetedukim, dhe, së fundi, për rindërtimin praktik të së Majtës marksiste. Në të tashmen e Majta marksiste duket si një rrënojë historike. Urtësia e trashëguar sot na detyron që përpjekjet e dështuara për emancipim në të kaluarën t’i kuptojmë jo si momente plotë potencial që ende mbeten për t’u përmbushur, por më tepër si “ajo që ka qenë” – utopizëm i destinuar për të përfunduar në tragjedi. Si trashëgimtarë kritikë të një tradite të mundur Platypus beson  se pas dështimit të së Majtës së Re të 1960-ës, dhe shpërbërjes së shtetit të mirëqenies dhe shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik në vitet 1980-90, çorientimi aktual i së Majtës  do të thotë që është vështirë të themi se mund t’i dimë detyrat dhe qëllimet e emancipimit shoqëror më mirë se  “utopistët” e së kaluarës. 

Detyra jonë është kritika dhe edukimi drejt rindërtimit të së Majtës marksiste. Platypus beson se rrënojat e së Majtës së sotme marksiste i takojnë një tradite humbja e së cilës ishte kryesisht e vetëshkaktuar, prandaj  e Majta marksiste aktuale është historike, dhe në një gjendje aq të rëndë dekompozimi, saqë është bërë jashtëzakonisht e vështirë për të hartuar kërkesa koherente programore shoqërore-politike. Përballë së kaluarës dhe së tashmes katastrofike, detyra e parë për rindërtimin e një të Majte marksiste si një forcë emancipuese është të identifikohen arsyet për dështimin historik të marksizmit dhe të qartësohet domosdoshmëria e një të Majte marksiste për të tashmen dhe të ardhmen. – Nëse synimi i së Majtës është ndryshimi i botës, ajo së pari duhet ta transformojë veten!

Rindërtimi tejet i vështirë, por jo edhe i pamundur, i një të Majte emancipuese është  detyrë urgjente; ne besojmë se e ardhmja e njerëzimit varet nga kjo. Derisa forcat shkatërruese të liruara nga shoqëria moderne – kapitalizmi – mbeten në jetë, premtimi i papërmbushur i emancipimit shoqëror ende na grish për ta përmbushur.  Të heqësh dorë  nga kjo, ose të fshehësh rëndësinë e humbjeve dhe dështimet e së kaluarës duke synuar “rezistencën” nga “jashtë” dinamikës së shoqërisë moderne do të thotë të afirmosh të tashmen e saj dhe të garantosh realitetin e saj shkatërrues në të ardhmen. 

Platypus ngre pyetjet: Sa është i rëndësishëm mendimi i teoricienëve kritikë të shoqërisë moderne si Marksi, Lukacs, Benjamin dhe Adorno  për luftën drejt emancipimit shoqëror sot? Si mund t’i japim kuptim historisë së gjatë të politikave të pafrytshme tek e Majta që na sollën këtu sot – pas Internacionales së majtë marksiste të Leninit, Luksemburgut dhe Trockit, deri tek shterpësia e sotme – pa u shtangur ose pa u dekurajuar nga kjo histori? – Si munden të na ndihmojnë përgjigjet në pyetje të tilla në detyrën urgjente për rikonstituimin e së Majtës në nivelet e saj më themelore të teorisë dhe praktikës? Si mund të ndihmojmë në daljen nga qorrsokaku ku e Majta është katandisur?

Ne shpresojmë të ringjallim diskutimin në të Majtën, e cila që një kohë të gjatë është prekur nga humbja e kujtesës dhe heshtja, me qëllim që të ndihmojmë në  gjetjen e një praktike emancipuese politike që na mungon sot.

Çfarë ka qenë e Majta dhe çfarë mund të bëhet ende? – Platypus ekziston sepse përgjigjja për një pyetje të tillë, edhe në formulimin e saj më themelor, ka pushuar së qeni e qartë që një kohë të gjatë.